Historiku

Shoqëria Kulturore Artistike “Agimi” është formuar në nëntor të vitit 1944.  Ky moment shënon fillimin e veprimtarisë së organizuar kulturore-artistike, në nivel amator, për shqiptarët e Prizrenit dhe të Kosovës.

Themelimi i kësaj Shoqërie në Prizren nuk ka qenë i rastësishëm, pasi që ky qytet gjatë historisë ka qenë qendër e rëndësishme tregtare, administrative dhe kulturore, gjatë periudhave të sundimit bizantin, serb dhe osman, por edhe qyteti i “Lidhjes shqiptare të Prizrenit” (1878).

Si tillë, Prizreni është qytet ku takohen fetë dhe kulturat e popujve të ndryshëm, me tradita të qytetërimeve të ndryshme: asaj perëndimore dhe asaj orientale. Në të ekziston edhe selia ipeshkvore, që gjatë historisë ka luajtur rol të rëndësishëm në arsimin dhe kulturën shqiptare, duke qenë vatër edhe për kulturën muzikore dhe teatrale të shqiptarëve të Kosovës.

Aktivitetet e para kulturore artistike të shqiptarëve të Prizrenit u organizuan në pjesën e dytë të nëntorit të vitit 1944 nga një ekip kulturor, i cili në fillim të vitit 1945 morri emrin “Ekipi Kulturor i Komitetit Shqiptar”. Programet e para të këtij ekipi kishin një karakter mozaiku, me këngë korale, recitime dhe këngë popullore.

Kori me një zë fillimisht drejtohej nga Anton Lumezi, pastaj Nuri Sherifi, derisa në vitin 1945 drejtimin e tij e merr Lorenc Antoni, duke e avancuar në kor mikst. Përkrah korit e fillon punën edhe orkestrina popullore dhe ajo argëtuese me: Anton Lumezin, Nuri Sherifin, Xhemil Dodën, Kolë B. Shirokën, Lazër Mjedën, Anton Çettën, pastaj Gjon Delhysën, Fran Gomillën, Kolë Gjonin, Matej Vuçajn, etj.

Kjo orkestrinë ka përcjellë edhe solistet e para, siç ishin: Vera Shahta, Shpresa Fehmiu, Nedime Kabashi, etj., ndërkohë që janë angazhuar edhe regjisorët amatorë, si Shemsidin Kirajtani dhe të tjerë.

Me rritjen e numrit të anëtarëve dhe seksioneve, Ekipi Kulturor i Komitetit Shqiptar shndërrohet në ShKA, me nismën e profesor Zekirja Rexhës. 

Nga Ekipi Kulturor i Komitetit Shqiptar doli Shoqëria e sotme Kulturore Artistike “Agimi”. Kryetar i parë u zgjodh Anton Çetta. Në këtë mënyrë u vendosën themelet e shoqërisë më të vjetër dhe shumëdegëshe ndër shqiptarët e Kosovës. 

Kontribues në ShKA "Agimi" kanë qenë edhe profesorët, Engjëll Berisha dhe Mark Kaqinari, dhe shumë të tjerë.

ShKA “Agimi” në baza amatore ka vijuar veprimtarinë për afër shtatë dekada, në disa seksione. Rruga e zhvillimit të saj nuk ka qenë e lehtë, por në programin e saj gjithnjë janë kultivuar vlerat e mirëfillta shqiptare, duke i kushtuar rëndësi ruajtjes dhe zhvillimit të këngëve, valleve, krijimtarisë letrare, artit pamor dhe skenik.   

Kontakt

Rr. Rrasat e Koshares p.n. 20000 Prizren Kosove

+386 49 335 553

+377 44 172 793

info@shka-agimi.org

www.shka-agimi.org

MKRSLimit LBKubati Qendra Laserike e SyritKomuna e PrizrenitProCredit Bank